Pesë shoferë janë ndëshkuar nga Policia Rajonale e Ferizajt pasi kanë kryer tejkalim të kolonës së automjeteve duke përdorur shiritin emergjent në dalje të autostradës, në fshatin Bibaj.
Katër shoferëve me patentë shoferi të Kosovës u është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, u janë vendosur 3 pikë negative dhe u është konfiskuar leja e drejtimit për një periudhë prej një viti.
Ndërkaq, shoferi me patentë shoferi të huaj është gjobitur me 300 euro dhe i është ndaluar drejtimi i automjetit në territorin e Republikës së Kosovës për një vit.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se kontrollet dhe aktivitetet e shtuara në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e shkeljeve që rrezikojnë pjesëmarrësit në komunikacion.
Njëkohësisht, policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo shkelje apo rrezik në trafik përmes numrave zyrtarë ose aplikacionit “Lajmëro Policinë”, duke garantuar se të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.




















