Emisari amerikan, Gabriel Escobar ka thënë se qëndrimi i ShBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, teksa shtoi se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bjerë ndesh me ligjet.
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar ka thënë se qëndrimi i ShBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bjerë ndesh me ligjet, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.
Escobar po ashtu ka thënë se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojmë.
Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.
Ndërkaq, në vitin 2013, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen për Asociacionin në kuadër të dialgout të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Dy vjet më vonë, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet e themelimit të Asociacionit.
Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik, dhe tha se ato mund të harmonizohen me akte nënligjore të Qeverisë.
Ndërsa më 18 gusht, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel për të vazhduar dialogun, dhe Escobar shpreson që në këtë takim të flitet edhe për Asociacionin.