Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar një video të re në Instagram, përmes së cilës ka promovuar Prishtinën dhe ka ndarë me ndjekësit e saj disa nga vendet që kanë rëndësi të veçantë për të.

Videoja është publikuar me rastin e nisjes së edicionit të sivjetëm të Sunny Hill Festival, ndërsa artistja ka bërë të ditur se kryeqyteti i Kosovës tashmë mund të eksplorohet edhe përmes Google Maps Street View.

“Mirë se vini në Prishtinë! Sot është dita e parë e Sunny Hill Festival dhe, për ta festuar këtë, të gjitha restorantet, arkitektura dhe kultura që unë i dua tani mund të eksplorohen në Google Maps Street View”, ka shkruar Dua Lipa në përshkrimin e videos.

Në pamjet e publikuara, ajo flet për lidhjen e saj të veçantë me qytetin ku është rritur dhe fton njerëzit nga e gjithë bota ta njohin Prishtinën përmes vendeve dhe kujtimeve të saj.

“Asnjëherë nuk mund ta njohësh një vend derisa ta shohësh me sytë e tu. Vendlindja ime, Prishtina, është tani në Google Maps Street View”, shprehet këngëtarja në fillim të videos.

Gjatë videos, Dua Lipa ndalet në disa prej pikave që për të kanë vlerë të veçantë, duke përfshirë edhe librarinë “Dukagjini”, të cilën, siç tregon ajo, e viziton sa herë që ndodhet në Prishtinë dhe ku gjithmonë gjen libra të rinj në gjuhën shqipe.

Përmes kësaj videoje, artistja ka vazhduar promovimin e Prishtinës dhe kulturës së Kosovës para audiencës së saj ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts