Mbi 123 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët. Kështu, kanë bërë të ditur nga Ministria e Arsimit. Sipas tyre, gjatë procesit të aplikimit nuk është shfaqur ndonjë problem në sistem dhe tani janë në fazën e analizës për ndarjen e shumës së mjeteve për nxënësit. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht 2026.
Ministria e Arsimit ka përsëritur thirrjen drejtuar prindërve dhe kujdestarëve ligjorë, të aplikojnë sa me shpejt për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Deri sot, kanë aplikuar mbi 123 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët. Drejtoresha e Departamentit për Arsim Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Anita Kadriu, i tha Radio Kosovës së procesi i aplikimit është duke funksionuar si duhet dhe deri me tani nuk është shfaqur ndonjë problem.
“Deri sot, e hënë datë 3 gusht, kanë aplikuar 123 mije e 829 prindër dhe kujdestarë ligjorë. Ne si ministri u kemi bërë thirrje të gjithë prindërve që ende nuk kanë aplikuar, ta bëjnë këtë sa më parë, në mënyrë që mjetet financiare të transferohen me kohë në xhirollogaritë e tyre. Deri më tani nuk ka pasur vështirësi apo ndonjë problem gjatë aplikimit për sa i përket sistemit”, tha Kadriu.
Tutje, Kadriu foli edhe buxhetin që pritet të ndahet për nxënësit për këtë vit shkollor, për çka tha se ende nuk është caktuar shuma, pasi janë në fazën e analizimit të teksteve që nxënësit duhet të blejnë.
“Po shumën, sa do të subvencionohen prindërit, Ministria e Arsimit është duke bërë një kalkulim. Konsiderojmë që edhe shuma që do të ndahet, duhet të jetë e përshtatshme me numrin e teksteve që do të ketë secili nxënës , pra që mos të ketë më pak mjete se sa që ka tekste mësimore. Kështu që, deri sa të aplikojnë të gjithë prindërit, do ta dimë edhe numrin e saktë të nxënëseve, pastaj ministria do dalë edhe me shumën që do të subvencionojë”, shtoi ajo
Tutje, ajo bëri të ditur se për herë të parë këtë vit të drejtë aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore do të kenë edhe shtetasit e huaj me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën e Kosovës, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në institucionet arsimore të vendit.
Ministria e Arsimit në këtë moment është në fazën e grumbullimit të emrave të koordinatorëve në të gjitha shkollat, ka theksuar Kadriu duke shtuar se të gjitha aplikimet do të verifikohen, ashtu si vitin e kaluar, përmes shkollave dhe përmes koordinatorëve të autorizuar në shkolla.




















