Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit me inicialet J.R., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin.
Sipas njoftimit të gjykatës, pas seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë rrethana që e bëjnë të nevojshme mbajtjen e tij në paraburgim.
Gjykata ka arsyetuar se ekziston rreziku që J.R., nëse do të lihej në liri, të arratisej për t’iu shmangur përgjegjësisë penale. Ky rrezik, sipas gjykatës, lidhet edhe me faktin se i pandehuri është shtetas i Serbisë, çka mund ta bëjë më të lehtë largimin e tij dhe vështirësojë sigurimin e pranisë së tij në procedurë.
Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se ekziston mundësia që i pandehuri të ndikojë në prova apo dëshmitarë, duke konstatuar se paraburgimi është masa e nevojshme për të garantuar zhvillimin normal të hetimeve.
J.R. dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile, vepër e paraparë nga neni 142 lidhur me nenin 22 të ish-Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.
Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.




















