Komuna e Vitisë ka reaguar pas një sulmi fizik dhe kanosjes ndaj një specialisti të mjekësisë familjare në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozharan.

Sipas Komunës, rasti ka ndodhur gjatë kujdestarisë së natës, derisa mjeku, i identifikuar me inicialet A.Ç., ishte në vendin e punës duke ushtruar detyrën e tij profesionale.

Institucionet komunale, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe QKMF-ja në Viti e kanë dënuar ashpër rastin, duke e cilësuar si akt të papranueshëm dhe cenim serioz të sigurisë, dinjitetit dhe integritetit të punonjësve shëndetësorë.

“Ky është një akt i papranueshëm dhe një cenim serioz i sigurisë, dinjitetit dhe integritetit të punonjësve shëndetësorë, të cilët çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve dhe të shëndetit të komunitetit.Nuk mund të normalizohet dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë!Asnjë pakënaqësi, mosmarrëveshje apo rrethanë nuk e justifikon sulmin fizik apo kërcënimin ndaj mjekut, infermierit apo çdo profesionisti tjetër shëndetësor, por edhe teknik që shërbejnë në institucionet tona”, thuhet në reagimin e Komunës.

Nga Komuna kanë theksuar se asnjë pakënaqësi, mosmarrëveshje apo rrethanë nuk e justifikon sulmin fizik apo kërcënimin ndaj mjekëve, infermierëve, teknikëve apo profesionistëve të tjerë shëndetësorë.

“Fakti që raste të tilla po përsëriten është veçanërisht shqetësues dhe kërkon reagim të menjëhershëm dhe institucional. Punonjësit shëndetësorë duhet të ndihen të sigurt në vendin e tyre të punës dhe të kenë mbrojtjen e duhur gjatë ushtrimit të detyrës.Kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e merituar nga organet kompetente dhe që ndaj personave që ushtrojnë dhunë të ndërmerren masat e parapara me ligj, prandaj edhe menjëherë janë njoftuar institucionet e sigurisë”.

Komuna ka shprehur shqetësim edhe për faktin se, sipas saj, raste të tilla të dhunës ndaj punonjësve shëndetësorë po përsëriten.

“Dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë nuk është vetëm sulm ndaj individit, por është sulm ndaj institucioneve, shërbimit shëndetësor dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të marrë shërbime shëndetësore në një ambient të sigurt.Si institucione komunale jemi të përkushtuar që çdo puntorë në sektorin publik të jetë i sigurt dhe i lirë në ushtrimin e detyrave të tyre profesionale, prandaj do të shikojmë të gjitha mundësitë ligjore që profesionistëve shëndetësore të iu krijojmë kushte të sigurisë për ushtrimin e lirë të punës profesionale”, thuhet në reagimin e Komunës së Vitisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts