Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës është arrestuar në Rinas, me qëllim ekstradimin e tij në Kosovë.
Policia e Shtetit njoftoi se arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Wanted”, që synon kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe në bashkëpunim me Interpol Tiranën, lokalizuan dhe kapën në Rinas shtetasin A. Sh., 32 vjeç, banues në Kukës.
Sipas policisë, ndaj tij Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër-arresti për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
Në momentin e ndalimit, 32-vjeçari dyshohet se është prezantuar me një identitet tjetër, me qëllim shmangien e identifikimit dhe arrestimit.
Pas arrestimit, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, do të ndjekë procedurat ligjore për ekstradimin e tij në Kosovë.




















