Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, pas takimit që ka zhvilluar me Këshillin Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe me kryetarin e PDK-së Memli Krasniqin është deklaruar për media.
Jasharaj ka kërkuar nga opozita bashkimin në nismën e SBASkK-ut që të mos lejojnë që Kosova të shndërrohet në shtet diktatorial.
Rrahman Jasharaj ka thënë se tendencat janë që të shtypen e të heshten sindikatat, e kur sindikatat janë të shtypura dhe të heshtura, sipas tij atëherë nuk ka shtet demokratik. Sipas Jasharajt, nuk e ka askush të drejtën që Kosovën të dërgojë deri këtu.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi pas takimit me kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se mosekzekutimi i pagave është vepër penale dhe se nuk ka të drejtë askush që t’i ndalë pagat.
“Kryeministri Albin Kurti i ka mbyllur dyert e shkollave, e jo grevistët”, tha Krasniqi. Sipas tij, Qeveria duhet t’i kthehet dialogut, dhe t’i ekzekutojë pagat.
Krasniqi ka thënë ndër të tjera se “Kurti nuk guxon të kthejë Kosovën në diktaturë” dhe se kjo nuk do të lejohet.