Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Bashkisë metropolitane të Izmirit, dr. Cemil Tugay, dhe bashkëpunëtorët e tij.
Pasi i uroi mirëseardhje kryetarit dhe foli për lidhjen e veçantë të shqiptarëve me Izmirin, kryeministri në detyrë Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme, si dhe mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të Turqisë për Kosovën.

Në takim u diskutua për mundësitë konkrete të thellimit dhe të zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Izmirit dhe Kosovës në ekonomi, industri e ndërmarrësi, arsim e kulturë, teknologji e inovacion, sikurse edhe në bujqësi, mjedis e energji. Në këtë kontekst u përmend edhe roli i rëndësishëm i komunitetit shqiptar në Turqi dhe atij turk në Kosovë, si urë e fortë lidhëse ndërmjet dy vendeve.
Krahas potencialit për investime dhe tregti, në takim u diskutua edhe për rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në një sërë fushash, veçmas në atë të mjedisit dhe të menaxhimit të mbeturinave.























