Sindikatat për grevën në arsim dhe administratë po kërkojnë zgjidhje për kërkesat e tyre.
Ato kanë kërkuar që të ketë dialog me Qeverinë dhe të gjendet zgjidhje për atë se çfarë ato kërkojnë.
Lidhur me grevën dhe mundësinë e dialogut, për Gazeta Blic ka folur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, derisa ka treguar se qeveria ka qenë në takime dhe komunikime të vazhdueshme me përfaqësuesit e sindikatave.
“Ne kemi pasur takime dhe kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit e sindikatave. Kryeministri Kurti ka takuar disa herë kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli. Ngjashëm kanë vepruar edhe ministrat Murati, Nagavci, Latifi dhe Sveçla, duke takuar drejtuesit e degëve sindikale të BSPK-së. Pra, komunikimi ka ekzistuar. Për çdo kërkesë të sindikatave, ka pasur një përgjigje dhe qëndrim të qeverisë”, thotë ai.
Kryeziu thekson se sindikatat e shpallën grevën 8 ditë pasi MPB njoftoi se Ligji për Paga është proceduar dhe sipas tij, kërkesa sindikale për Ligjin për Paga u zhvendos dhe u zëvendësua me kërkesën për 100 euro shtesë deri në miratimin e ligjit, duke kushtëzuar me këtë kërkesë ndalimin e grevës, sidomos asaj në arsim.
“Përgjatë shumicës së kohës kërkesa kryesore e sindikatave ka qenë procedimi i Ligjit të Pagave për Zyrtarët Publikë. Ata kanë qenë të njoftuar për progresin në hartimin e ligjit. Megjithatë, sindikatat shpallën grevën e tyre me 25 gusht, 8 ditës pas njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme se Ligji për Paga është proceduar në Konsultime Paraprake. Kërkesa e kamotshme sindikale për Ligjin për Paga u zhvendos dhe u zëvendësua me kërkesën për 100 euro shtesë deri në miratimin e ligjit, duke kushtëzuar me këtë kërkesë ndalimin e grevës, sidomos në arsim, pavarësisht se:
– Mësimdhënësit në projektligjin e ri parashihet të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë
– Projektligji siguron trajtim të barabartë të mësuesve klasorë dhe lëndorë në arsimin e mesëm të ulët
– Projektligji eliminon padrejtësitë në të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe stafit tjetër,
– Dhe parasheh shtesa në paga në bazë të kualifikimit dhe përgjegjësive menaxheriale”, potencon zëdhënësi i Qeverisë.
– Dhe parasheh shtesa në paga në bazë të kualifikimit dhe përgjegjësive menaxheriale”, potencon zëdhënësi i Qeverisë.
Ai për Gazeta Blic shton se MASHT-i i ka plotësuar edhe kërkesat e tjera të sindikës për arsim, duke ndarë buxhet për atë.
“Për më tepër paraprakisht, MASHTI po ashtu ka adresuar edhe disa çështje tjera që janë ngritur nga sindikata e Arsimit. Me kërkesë të tyre për herë të parë janë ndarë 1.7 milionë euro për rreth 300 mësimdhënës me sëmundje të rënda. Është ndarë buxhet shtesë për mësimdhënësit që konsiderohen tepricë ashtu që mos të mbesin pa punë, si dhe 1600 mësimdhënësve u janë ruajtur normat ndërkohë që për vitin 2023 tashmë janë planifikuar që t’u ruhen normat 2209 punëtorëve të arsimit. Kurse të shtunën prezantuam pakon e re për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës të gjithë punëtorët e sektorit publikë do të marrin shtesë prej 50 euro deri në fund të këtij viti fiskal duke filluar nga muaji shtator”, thotë Kryeziu.
Krejt në fund, ai ka thënë se qeveria synon trajtim dhe zgjidhje sistematike të sfidave të sistemit të arsimit dhe se dialogu me kushtëzime dhe kërcënime nuk është dialog.
Ai ka bërë thirrje që mësimi të nis sa më parë në të gjitha shkollat e vendit.
“Këto janë dëshmi të forta se Qeveria është partnere e arsimit në Kosovë dhe punëtorëve të arsimit. Ne synojmë trajtim dhe zgjidhje sistematike të sfidave të sistemit të arsimit. Synimet dhe planet tona nuk mund të pengohen e kushtëzohen nga kërkesa arbitrare. Dialogu me kushtëzime dhe kërcënime nuk është dialog. Mësimi duhet të fillojë sa më parë në të gjitha shkollat e vendit”, deklaron Përparim Kryeziu./GB