Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje të reja për vrasjen e 14-vjeçarit që ndodhi mbrëmjen e 27 gushtit në Prizren, rast për të cilin Gazeta Sinjali raportoi më herët.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:41, ndërsa menjëherë pas pranimit të informatës në vendngjarje kanë dalë njësitet relevante të Policisë së Kosovës, hetuesit, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i mituri 17-vjeçar dyshohet se ka privuar nga jeta të miturin 14-vjeçar, duke e therur me thikë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas organit të akuzës, i dyshuari është hasur në vendngjarje, ndërsa nga ai është sekuestruar një thikë, e cila dyshohet se është përdorur për kryerjen e veprës penale.
Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, 17-vjeçari është ndaluar për 24 orë nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria ka paralajmëruar se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e të miturit në procedurë.
Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të ngjarjes.




















