Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili akuzohej për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Gjykatësja Edita Çanta, gjatë shpalljes së aktgjykimit, tha se Konjufca lirohet nga akuza.

“I pandehuri Glauk Konjufca lirohet nga akuza”, tha ajo.

Konjufca akuzohej për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës gjatë një mbledhjeje në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk ishte provuar se kishte kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Ndërsa, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, për të cilën kishte arritur parashkrimi, akuza ishte refuzuar.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte rrëzuar vendimin e Themelores dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Ndryshe, në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Edita Çanta kishte bërë të ditur se Konjufcës i ishte parashkruar vepra penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Glauk Konjufcës, duke e ngarkuar me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, Konjufca më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në cilësinë e deputetit, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallë.

Në aktakuzë thuhej se si pasojë e gazit lotsjellës, pjesëmarrësit ishin detyruar të braktisnin sallën, pasi qëndrimi i tyre ishte pamundësuar nga tymi i shkaktuar nga gazi.

Konjufca akuzohej për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 i Kodit Penal, e cila parashihte dënim me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërsa, me dispozitivin e dytë të aktakuzës, ai akuzohej se gjatë përdorimit të gazit lotsjellës kishte penguar personat zyrtarë, përfshirë kryetarin e atëhershëm të Kuvendit, Kadri Veselin, dhe deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Për këtë vepër, Konjufca akuzohej për “Pengimin e personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, sipas nenit 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila dënohej me burgim prej tre muajsh deri në tre vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts