Një unazë gjimnazisti, e humbur në një liqen në shtetin e New York-ut 28 vite më parë, është gjetur dhe rikthyer te pronarja e saj falë dy personave që merren me kërkimin e thesareve me detektor metali.
Michael Siegle dhe Dylan LaPort po kërkonin objekte të humbura në Great Sacandaga Lake, kur detektori i tyre sinjalizoi një objekt metalik. Ata lëvizën një gur dhe aty gjetën një unazë të Red Creek High School, që i përkiste klasës së vitit 1988.
“Dëgjuam sinjalin e detektorit, pastaj thjesht kthyem një gur dhe ajo ishte aty”, tregoi LaPort.
Dyshja publikoi fotografi të unazës në Facebook, duke shpresuar të gjente pronarin. Pas disa kohësh pa marrë asnjë informacion, ata kontaktuan vetë shkollën.
Një sekretare e shkollës arriti ta identifikonte menjëherë pronaren: Kim Rasbeck.
– YouTube www.youtube.com
Rasbeck tregoi se e kishte humbur unazën gjatë një dite që kishte kaluar me miqtë pranë liqenit, plot 28 vjet më parë.
Kur mësoi se unaza ishte gjetur, ajo u përpoq t’u ofronte atyre paratë për ta dërguar përsëri.
“U thashë se do t’ju dërgoj paratë për postën, sa të kushtojë. Por ata nuk pranuan. Më thanë: ‘Jo, thjesht duam ta kthejmë unazën tek ti’”, rrëfeu Rasbeck.
Për dy kërkuesit, ky ishte më shumë sesa një objekt i vjetër i gjetur në fund të liqenit.
“Jam i lumtur që arrita t’ia kthej. Kjo është ajo që bëjmë këtu: gjejmë unaza, ua kthejmë njerëzve dhe çdo gjë tjetër që gjejmë gjatë rrugës është thjesht bonus”, tha Siegle.




















