E mërkura e 2 shtatorit ishte njëra nga ditët më të rënda në vend, për sa u përket vdekjeve, si pasojë e disa aksidenteve në trafik.
Tre personave iu shua jeta, në po kaq raste tragjike.
Dy nga rastet me fatalitet kanë ndodhur të mërkurën në rajonin e Prishtinës.
Në rrugën Ferizaj-Prishtinë, në Çagllavicë, një këmbësor është goditur nga një veturë rreth orës 15:35. I lënduari është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Vozitësi i dyshuar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Një tjetër aksident me fatalitet ka ndodhur në fshatin Llukar të Prishtinës, pak pas orës 20:00.
Policia njofton se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë. Drejtuesi i kësaj të fundit, ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në emergjencën e QKUK-së, ku më pas është konstatuar vdekja e tij.
Edhe në këtë rast, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, më 2 shtator ka vdekur edhe një person që ishte duke u trajtuar në Spitalin e Vushtrrisë, pas një aksidenti të ndodhur më 5 gusht.
Viktima ishte goditur nga një veturë dhe që nga aksidenti po trajtohej në repartin intensiv. Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion me urdhër të prokurorit.
Një tjetër rast i rrallë i aksidenteve në trafik, por i cili përfundoi vetëm me lëndime, dhe atë të një polici, ndodhi në Mitrovicë.
Ai kaloi vetëm më lëndime të lehta pasi është goditur nga një automjet në lëvizje, derisa po rregullonte trafikun, në rrugën “Shemsi Ahmeti”.
Sipas policisë, vozitësi është larguar nga vendi i ngjarjes me veturë dhe ende nuk është identifikuar. Zyrtari policor, pas trajtimit mjekësor, është liruar.
















