Talenti kosovar i Bayern Münchenit, Erblin Osmani, është pajisur zyrtarisht me pasaportën e Republikës së Kosovës dhe do ta përfaqësojë vendin në arenën ndërkombëtare.
Lajmin e bëri të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili ia dorëzoi personalisht pasaportën Osmanit.
“Nder i veçantë që sot ia dorëzova pasaportën e Republikës së Kosovës talentit tonë të Bayern Münchenit, Erblin Osmanit, dhe gjithashtu të ndaj lajmin e madh për futbollin kosovar: Erblini do të luajë për Kosovën”, shkroi Ajeti.
Ambasadori falënderoi presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe FFK-në për angazhimin e tyre.
“Mezi presim ta shohim talentin tonë me fanellën e Dardanëve dhe ta përfaqësojë Kosovën me krenari”, shtoi ai.
Ajeti tha se vendimi i Osmanit është një tjetër dëshmi se talentet kosovare po e zgjedhin Kosovën dhe se e ardhmja e futbollit të vendit është e ndritur.




















