Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është realizuar me sukses një ndërhyrje komplekse kirurgjikale për trajtimin e një tumori retroperitoneal bilateral, i cili kishte përfshirë struktura të mëdha vaskulare.
Sipas njoftimit të spitalit, masa tumorale kishte rrethuar aortën abdominale dhe venën kava inferiore, ishte shtrirë deri në nivelin e arterieve iliake dhe kishte përfshirë edhe ureterin e majtë.
Pas një ndërhyrjeje të kujdesshme, ekipi mjekësor arriti ta largonte plotësisht tumorin, së bashku me veshkën e majtë të prekur.
Operacioni u krye nga urologu Kushtrim Fejza dhe kirurgu Bujar Vrella, në bashkëpunim me ekipin e anestezionit dhe atë të sallës operative.
Spitali i Pejës theksoi se raste të tilla kërkojnë planifikim multidisiplinar, përvojë të avancuar kirurgjikale, koordinim maksimal dhe menaxhim të kujdesshëm të strukturave vaskulare dhe retroperitoneale.




















