Incidenti në të cilin u përfshi kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, në parkingun e një qendre tregtare, tashmë është nën hetim edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

IPK ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me pretendimet e ngritura pas incidentit, i cili kishte ndodhur të dielën në orët e pasdites.

Në rast ishin përfshirë Ahmeti, si dhe dy qytetarë, njëri prej tyre i mitur.

Sipas IPK-së, incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkingun ndërsa pas përplasjes personat e përfshirë janë shoqëruar në objektin policor për trajtimin e rastit.

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) është njoftuar lidhur me një incident të raportuar gjatë ditës së djeshme, në orët e pasdites, në parkingun e qendrës tregtare Prishtina Mall, ku ishin të përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare ( me gradën e kapitenit) si dhe dy qytetarë, njëri prej të cilëve i mitur. Pas njoftimit për rastin, hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, me qëllim të verifikimit të rrethanave dhe mbledhjes së informacioneve fillestare lidhur me incidentin. Sipas të dhënave fillestare, incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkingun, ndërsa personat e përfshirë më pas janë shoqëruar në objektin policor për trajtimin e rastit”, ka njoftuar IPK.

Megjithatë, gjatë trajtimit të rastit janë ngritur edhe pretendime për mënyrën se si është vepruar ndaj njërit prej qytetarëve pasi ai është shoqëruar në polici.

“Gjatë trajtimit të këtij rasti, në IPK janë ngritur pretendime për tejkalim të autorizimeve policore nga një zyrtar tjetër policor ndaj njërit prej qytetarëve të përfshirë në incident”, thuhet në komunikatën e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Sipas IPK-së, njëri nga personat e përfshirë në incident ka pretenduar se ndaj tij është përdorur forcë nga një zyrtar policor pasi ishte shoqëruar në Stacionin Policor në Graçanicë.

“Njëri nga personat e përfshirë ka pretenduar se pas shoqërimit në polici, ndaj tij është përdorur forcë nga një zyrtar policor në stacionin policor të Graçanicës”, thuhet në njoftim.

Këto pretendime tashmë janë pjesë e hetimit të IPK-së, ndërsa Inspektorati ka bërë të ditur se është në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent.

“Lidhur me këto pretendime, hetuesit e IPK-së kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me prokurorin kompetent dhe, nën drejtimin e tij, kanë ndërmarrë dhe janë duke ndërmarrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të të gjitha rrethanave të rastit. Në kuadër të hetimit, zyrtari policor i dyshuar për keqtrajtim është suspenduar me rekomandim të IPK-së ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike””, ka njoftuar IPK.

IPK ka sqaruar se procedurat hetimore do të vazhdojnë edhe ndaj qytetarëve të përfshirë në incidentin fillestar.

Sipas Inspektoratit, hetimet ndaj tyre do të ndërmerren nga Policia e Kosovës, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent.

“Hetimet ndaj qytetarëve të përfshirë do të vazhdojnë të ndërmerren nga Policia e Kosovës në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent në drejtim të veprës penale të sulmit”, thuhet në njoftim.

IPK thekson se hetimi është në fazën fillestare dhe se të gjitha veprimet hetimore po zhvillohen në koordinim me prokurorin kompetent, duke respektuar procedurat ligjore, të drejtat e të gjitha palëve të përfshira dhe parimin e prezumimit të pafajësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts