Policia e Kosovës ka ndaluar një automjet të dyshuar pa targa në brezin kufitar mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin se po transportonte mallra të kontrabanduara.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 9 shtator 2026, kur zyrtarët policorë kanë identifikuar dhe ndaluar automjetin, i cili drejtohej nga një person mashkull, shtetas i Kosovës.
“Me datën 09.09.2026, Policia e Kosovës ka identifikuar dhe ka ndaluar një automjet të dyshuar pa targa nē brezin kufitar RMV-RKS, i cili dyshohet se kishte të ngarkuar mallra të kontrabanduara nga Republika e Maqedonës së Veriut.
Gjatë kontrollit të automjetit të lartcekur, të cilin po e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar, janë gjetur të ngarkuara mallra të ndryshme si: susam, qumësht pluhur, boca gazi, poqa elektrikë, çokollata, vlera e të cilave, sipas tregut, sillet rreth 20.000 euro pa llogaritur akcizat dhe shmangiet doganore etj., për të cilat nuk posedonte asnjë dokument mbi prejardhjen e mallit.
Lidhur me rastin i dyshuari i cili për mallin e ngarkuar nuk kishte nën posedim dokumentet përkatëse, është shoqëruar së bashku me automjet në SPMK-Kllokot pēr procedim të mëtutjeshëm të rastit, ndërsa në konsultim me prokurorin malli i sekuestruar i është dorëzuar Doganës së Kosovës.”, thuhet në njoftimin e policisë.


















