Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për më shumë vëmendje ndaj shëndetit mendor, me rastin e Ditës Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes.
Haxhiu ka thënë se në këtë ditë kujtohen personat që nuk janë më dhe u kushtohet vëmendje atyre që aktualisht po kalojnë momente të vështira.
“Fakti që rrugëdalja nuk shihet, nuk do të thotë se ajo nuk ekziston. Ka momente kur njeriu nuk mundet dhe nuk duhet t’ia dalë i vetëm”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se për shëndetin mendor është heshtur gjatë, për shkak të frikës nga gjykimi dhe bindjes se çdo vështirësi duhet përballuar vetëm.
“Nëse nuk je mirë, fol me dikë që i beson dhe, kur duhet, kërko ndihmë profesionale”, ka apeluar ajo.
Haxhiu ka përmendur edhe Linjën e Jetës, duke u bërë thirrje personave që nuk kanë dikë të afërt me të cilin mund të flasin, të kërkojnë ndihmë përmes saj.
Sipas saj, përmes kësaj linje mund të bisedohet falas dhe në anonimitet të plotë.


















