Qeveria e Republikës së Kosovës ka falënderuar organizatorët dhe mijëra qytetarë që morën pjesë në “Marshin për Liri”, i cili u mbajt në Prishtinë me kërkesë për lirimin e katër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po mbahen në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një reagim, Qeveria ka shprehur mirënjohje për pjesëmarrësit, duke vlerësuar sjelljen paqësore, paraqitjen dinjitoze dhe qëndrimet e shprehura gjatë organizimit.
“Marshi u zhvillua me kërkesën për lirimin e katër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, paraburgimi i të cilëve në Dhomat e Specializuara në Hagë ka hyrë në muajin e 70-të”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Qeveria ka vlerësuar në veçanti edhe bashkëpunimin e organizatorëve dhe pjesëmarrësve me organet e rendit dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës.
“Qeveria vlerëson në veçanti bashkëpunimin e treguar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit me organet e rendit dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës, i cili kontribuoi në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të marshit”, thuhet në reagim.




















