Ish-trajneri i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki, ka komentuar vendimin e kapitenit Amir Rrahmani për t’u larguar nga përfaqësuesja e Kosovës.
Në një prononcim për Indeksonline.net, Bunjaki e ka cilësuar largimin e Rrahmanit si një humbje të madhe për Kombëtaren, duke vlerësuar lart kontributin dhe nivelin e mbrojtësit.
“Është një hendikep i madh me t’u largu kapiteni nga Kombëtarja. Ai është lojtari më i mirë shqiptar, luan në Serie A dhe ka fituar tituj. Është shpallur dy herë më i miri mbrojtës në Itali. Me humb atë është shumë shqetësuese”, ka deklaruar Bunjaki.

Ai ka theksuar se nuk dëshiron të paragjykojë arsyet që kanë çuar Rrahmanin drejt këtij vendimi, duke thënë se vetë futbollisti duhet të flasë më shumë për rrethanat e largimit.
“Nuk e di arsyen pse, ai duhet me thënë, por është shqetësuese!”, është shprehur ish-përzgjedhësi i Kosovës.
Bunjaki e ka cilësuar situatën si të dëmshme si për përfaqësuesen, ashtu edhe për vetë Rrahmanin, duke nënvizuar rëndësinë që mbrojtësi ka pasur në futbollin shqiptar.
“Vërtetë është shumë dëm i madh, si për Kosovën, si për Amirin. Mos të harrojmë, po flitet për futbollistin shqiptar më të mirë të të gjitha kohërave”, ka përfunduar Bunjaki.

Vendimi i Rrahmanit për t’u tërhequr nga Kombëtarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv, veçanërisht për shkak të rolit të tij si kapiten dhe një prej futbollistëve më të rëndësishëm të Kosovës.
Në deklaratën e tij, thuhet se përderisa ekziston kjo kryesi e FFK-së nuk do të rikthehet te Kosova.




















