Pak para vendimit, kryetari i trupit gjykues në Gjykatën Speciale, Charles Smith III, ka thënë se çështja nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së, por vetëm me akuzat që rëndojnë mbi Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin.
Siç tha ai, kjo çështje ka të bëjë vetëm me atë se a janë kryer krimet e pretenduara në aktakuzë dhe a mund të mbahen përgjegjës të akuzuarit për ato.
“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve. Çështja ka të bëjë vetëm me faktet dhe rrethanat që lidhen me akuzat kundër të akuzuarve në këtë çështje gjyqësore. Kjo çështje nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur. Nuk ka të bëjë me vlerësimin e veprimeve të njërës palë kundër palës tjetër. Nuk ka të bëjë me krimet që padyshim forcat dhe paramilitarët serbë kryen kundër shqiptarëve të Kosovës. Kjo çështje ka të bëjë vetëm me atë se a janë kryer krimet e pretenduara në aktakuzë dhe a mund të mbahen përgjegjës të akuzuarit për ato”, tha Smith.




















