Ministria për Evropën e Mbretërisë së Bashkuar, ka reaguar pas vendimeve dënuese nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ministri për Evropën, Lord Wood i Anfieldit, tha se Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor dhe mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në mbarë rajonin.

Më tutje, shteti britanik tha se vazhdon të mbetet një mik dhe partner i afërt i Kosovës, duke mbështetur fuqimisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj, si dhe paqen në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi krenarë për rolin që luajtëm, së bashku me aleatët e NATO-s, në parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”, tha ministri britanik.

Sipas tij, vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës përbën një moment të rëndësishëm, por ai “nuk është një vendim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj”.

“Mendimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar janë me viktimat dhe familjet e tyre”, tha më tej ministri britanik në reagimin publik.

Më tej, theksohet se “konstatimet e Gjykatës kanë të bëjnë me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensione ndërmjet komuniteteve apo në mbarë rajonin. Në këtë moment të rëndësishëm, udhëheqësit politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësinë të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe që siguria e njerëzve të jetë përparësia kryesore”.

Mbretëria e Bashkuar, tha ministri Lord Wood, “do të vazhdojë të punojë me partnerët në rajon dhe më gjerë për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt e të begatë për të gjitha komunitetet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts