Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova ka potencial të madh turistik dhe se përdorimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale mund të kontribuojë në promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Kurti i bëri këto deklarata gjatë hapjes së konferencës “Re: Tourism – Inteligjenca Artificiale në promovimin e turizmit në Kosovë”, të organizuar në kuadër të aktiviteteve për Ditën Botërore të Turizmit.
Ai tha se trashëgimia historike e kulturore, natyra, traditat, gastronomia dhe mikpritja përbëjnë potenciale që, sipas tij, meritojnë të njihen më gjerësisht përtej kufijve të Kosovës.
“Digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë mënyrën se si informohemi dhe si komunikojmë. Ne duhet t’i përdorim këto mundësi për ta bërë Kosovën më të dukshme, më të qasshme dhe më tërheqëse për vizitorët nga mbarë bota”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, turizmi në Kosovë është sektor në rritje. Kurti tha se gjatë katër viteve të fundit numri i vizitorëve është rritur për rreth 20 për qind nga viti në vit, ndërsa numri i përgjithshëm i vizitorëve është dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit krahasuar me periudhën parapandemike, deri në vitin 2019.
Kryeministri theksoi se rritja e numrit të vizitorëve ka krijuar edhe mundësi të reja punësimi.
“Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 30 mijë persona janë punësuar në sektorët e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, të cilët përbëjnë rreth 7 për qind të fuqisë punëtore në vendin tonë”, tha ai.
Kurti bëri të ditur se Qeveria e Kosovës i ka dhënë turizmit rëndësi të veçantë përmes Strategjisë për Turizmin e Kosovës 2030.
Ai tha se synimi strategjik është zhvillimi i turizmit në të gjitha pjesët e vendit, duke përfshirë investimet në Brezovicë dhe zhvillimin e Dukagjinit si një qendër e re turistike dhe zhvillimore.
“Synimi ynë strategjik është ta zhvillojmë turizmin në çdo cep të vendit tonë, duke investuar edhe në Brezovicë dhe ta shndërrojmë Dukagjinin në një qendër të re turistike e zhvillimore”, u shpreh Kurti.




















