Raportimi i Gazetës Sinjali për një operacion të gjerë për hetimin e krimeve të luftës në veri të Kosovës është konfirmuar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale.
Në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me mbështetjen e njësive të tjera të specializuara dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale, ka zhvilluar në komunën e Zubin Potokut operacionin e koduar “Dosja 23”.
Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar nëntë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sinjali raportoi më herët se në shënjestër të aksionit ishin rreth 10 persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e civilëve gjatë luftës.
Sipas burimeve të Sinjalit, hetimet lidhen me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”, ndërsa operacioni është zhvilluar në disa lokacione në veri të Kosovës.
Policia dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se për detaje të mëtejshme lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik.
Aksioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve për krime lufte kundër popullsisë civile.




















