Kryeministri Albin Kurti, ka dalë me një propozim të ri për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), kur kanë mbetur më pak se katër orë para se Kosova të shkojë në zgjedhje të reja.
Kurti ka thënë se janë të gatshëm që fillimisht të votojnë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, nëse PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për Presidentin e vendit.
Dy emrat e propozuar nga Kurti për postin e Presidentit janë Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti.
“PDK-ja e refuzoi ofertën tonë që ta mbështesim Beskim Sejdiun. Besoj se, në rast të një përgjigjeje pozitive nga ana e tyre, Sejdiu do të rikthehej në garë. Përveç tij, natyrisht, i kemi edhe dy emra të tjerë, të cilët gjatë këtij viti i kemi prezantuar si kandidatë për president – Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin. Të dy janë ende kandidatë, nëse ka interesim nga opozita. Propozimi më i ri është ky: meqë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nuk po arrin të takohet me ne, le të dalë publikisht sonte dhe të zotohet se i gjithë grupi parlamentar i PDK-së do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit – qoftë për, abstenim apo kundër. Pas këtij zotimi, ne ua votojmë leximin e dytë të ligjit, nëse ata mendojnë se nuk përbën problem mosrespektimi i afatit 72-orësh mes dy leximeve. Ne ua votojmë ligjin dhe menjëherë pas kësaj kalojmë në votimin për presidentin”, ka thënë Kurti.


















