Në Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, për të tretën herë është diskutuar projekti për skema sociale Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Fianancimit ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”, i cili po kundërshtohet nga deputetët e opozitës.
Anëtari i këtij Komisioni, Ferat Shala, tha se nuk duhet të votohet kjo reformë që të shteti të hyjë në borxh.
“Ne jemi pajtuar edhe më herët për reformën sociale, a ka pasur kapacitete financiare apo çfarë kapacitetesh kanë munguar që ju të filloni reformën e skemave sociale me buxhet vetanak”.
“Ne kemi raportin e auditorit i cili mjete ka mjaftë, që ju nuk keni mundur t’i harxhoni, as në investime kapitale dhe shumë kategori të tjera, pse duhet ju të hyni kredi për me rrit borxhin e shtetit për me filluar reformën e skemave sociale kur mjetet janë në konto te shtetit”.
“Ju po thoni rimbursim cila është logjika ekonomike që ne duhet të marrim kredi, a është rimbursim apo kredi, unë nuk pe kuptoj për herë të tretë pe diskutojmë, dhe tash po dëshironi te na shtini në një kredi tjetër prapë për një projekte. Nuk pe kuptoj pse duhet na me votuar këtë me hy në borxh kur ka mjete”, tha Shala.
Ministri i Financave Hekuran Murati, duke iu përgjigjur deputetit tha se borxhi nuk po rritet.
“Borxhi shtetëror nuk po rritet, madje sivjet borxhi është më i vogël se sa në fillim të vitit, ne përderisa mund të marrim kredi të reja, nuk po rritet borxhi publik”.
Ndërsa, deputeti nga LDK-ja Avdullah Hoti ka thënë se nga kjo marrëveshje, 15 milion euro janë për mbështetje direkte buxhetore, që sipas tij janë të panevojshme.
“Në histori nuk ka ndodhur me marrë kredi për skema sociale. Është e pakuptimtë me thënë po marrim kredi e borxhi s’po rritet”, tha ai.
Ministri Murati qeshi me komentet e ish-kryeministrit Hoti, por ky i fundit kërkoi nga ai të jetë më serioz.
“Kërkoj të jeni serioz kur flisni me mua”, i tha Hoti ministrit Muratit.