Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës.
Nga IPK-ja konfirmuan se, në kuadër të këtij hetimi, përveç ankesave të pranuara nga qytetarët, do të verifikohen edhe pretendimet e ngritura lidhur me afatin e skadimit të gazit lotsjellës të përdorur gjatë protestës.
Sipas IPK-së, si për ankesat e pranuara në objektet e këtij institucioni, ashtu edhe për rastet e iniciuara në kuadër të detyrës zyrtare, tashmë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore, përfshirë sigurimin e video incizimeve dhe dëshmive të tjera, marrjen e deklaratave dhe shikimin e dokumentacioneve zyrtare policore që ndërlidhen me menaxhimin e protestës.
“IPK-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren”, deklaruan nga IPK-ja.
Gjatë protestës, e cila u mbajt me kërkesën për votimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, kishte ngritur dyshime se Policia e Kosovës kishte përdorur gaz lotsjellës të modelit të vitit 2018, të cilit pretendohet se i kishte skaduar afati. Ato bombola të gazit lotsjellës Radio Dukagjini i kishte incizuar dhe janë këto në fotografi. /RadioDukagjini


















