Gjykimi ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për spiunazh në favor të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), ka nisur nga e para. Të dy të akuzuarit janë deklaruar sërish të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Në fjalën hyrëse, prokurori special Bekim Kodraliu ka deklaruar se provat që do të administrohen gjatë procesit gjyqësor do të dëshmojnë, sipas Prokurorisë, se të akuzuarit kanë mbledhur dhe dërguar informacione për BIA-n, duke rrezikuar sigurinë kombëtare të Kosovës.
Sipas aktakuzës, Bedri Shabani akuzohet se, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve me Sërgjan Rosiqin, ka mbledhur dhe dërguar informacione, dokumente dhe libra që lidhen me ngjarjet e luftës së Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Prokuroria ka thënë se në mesin e provave janë më shumë se 30 raporte policore, raporte të Agjencisë së Forenzikës së Kosovës, konfirmime zyrtare nga AKI-ja, si dhe dokumente dhe fotografi të gjetura në posedim të Shabanit.
“Do të vërtetohet në tërësi nga provat që do të administrohen para jush, janë më shumë se 30 raporte policore, me prova konkrete në të, raporti nga Agjencia Forenzike e Kosovës, konfirmimet zyrtare nga AKI dhe burimet e qasshme…. Raportet për hyrje daljet për Serbi dhe kthimi në të njëjtën ditë në Kosovë, dokumentacione dhe foto albume, që përmbajnë foto të luftës së Kosovës, diagrame, fotografi të përgatitura, e në veçanti provat materiale të cilat janë gjetur në posedim tek i pandehuri Bedri Shabani, do të vërtetohet se i njëjti që spitalin e Mollopolcit, ta ndërlidhë me shtëpinë e ashtuquajturën Shtëpia e Verdhë, në Shqipëri. Gjatë administrimit të provave, do të vërtetohet që i pandehuri Bedri Shabani nga një datë e pacaktuar e deri në arrestimin e tij 05.06.2024, e ka ndihmuar BIA-në përmes Sërgjan Rosiqit, në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe librave që kanë të bëjnë më ngjarjet të UÇK-së. Këto veprime i ka ndërmarrë përmes komunikimit telefonik dhe takimeve fizike me Sërgjan Rosiqin”, ka deklaruar Kodraliu.
Të dy të akuzuarit ngarkohen për spiunazh, ndërsa Muharrem Qerimi akuzohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, vepër për të cilën më herët e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e kishte ngritur aktakuzën më 19 shkurt 2025. Sipas saj, informacionet e pretenduara përfshinin të dhëna për UÇK-në, Policinë e Kosovës, AKI-në, Inspektoratin Policor dhe ngjarje specifike, përfshirë masakrën e Reçakut.
Në seancat e mëparshme, përfshirë ato të 28 dhe 29 janarit 2026 dhe 30 prillit, gjykimi ishte zhvilluar me dyer të mbyllura.


















