Partitë opozitare në Kosovë kanë kërkuar rikthimin sa më të shpejtë të Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se Qeveria duhet të ndërmarrë hapa për rikthimin e besimit të partnerëve amerikanë.

Në anën tjetër, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se Kosova vazhdon të jetë në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në dhe se proceset do të shtyhen përpara edhe gjatë mandatit të ri të institucioneve.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu, tha se çështja e rikthimit të dialogut u takon Qeverisë dhe Presidencës, ndërsa theksoi se, pavarësisht pezullimit, bashkëpunimi mes Kosovës dhe SHBA-së ka vazhduar.

“Tash kjo është çështje e qeverisë edhe e presidencës. Sigurisht ata do të përdorin strategjitë e veta, të cilat nuk i di unë, sepse unë jam deputete e Kuvendit dhe kjo ka të bëjë vetëm me fushëveprimtarinë tonë brenda komisioneve parlamentare, që zakonisht ndjekim rrugë që i nisin institucionet, si Presidenca, si Qeveria, edhe si Kuvend dhe si komisione parlamentare. Ju e dini cilat janë arsyet se pse është ndërprerë dialogu strategjik, dhe unë besoj që pavarësisht që ka pasur një ndërprerje, ka vazhduar, sepse në vazhdimësi kemi pasur bashkëpunime të ndërsjella, të cilat i kanë shtyrë çështjet tona me interes përpara. Kjo do të ndodhë sigurisht edhe tani. Nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, sepse Republika e Kosovës gjithmonë ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në koordinim me ta, dhe ata gjithmonë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë aleatët kryesorë të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Kryeziu shtoi se pret që institucionet e Kosovës të vazhdojnë përpara me çështjet me interes për vendin, por theksoi se nuk mund të flasë në emër të Qeverisë dhe Presidencës për strategjitë që do të ndjekin.

“Kështu që kjo natyrshëm do të ndodhë, sidomos tani pasi që institucionet tona kanë marrë mandatet e plota dhe do të funksionojnë si të tilla përgjatë këtij mandati të plotë politik dhe ne do të ecim çështjet përpara. Nuk mund të flas çfarë do të bëjnë Presidenca, a çfarë do të bëjnë Qeveria, sepse këtu interferohet një numër i madh i ministrive, i departamenteve përkatëse, të cilat janë të obliguara që të përbëjnë strategjitë e veta edhe të na japin propozimet se si do të ecim, por po besoj që njëjtë siç kemi shtyrë proceset përpara përgjatë këtyre gjashtë viteve të fundit, do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më fuqishëm tani”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, vlerësoi se rikthimi i Dialogut Strategjik është jetik për Kosovën dhe kërkoi që në këtë proces të përcaktohen qartë prioritetet dhe afatet kohore.

“Dialogu strategjik është një mekanizëm kur të dy palët ulen përballë njëra-tjetrës dhe shtrojnë në tavolinë tema të cilat janë relevante, të rëndësishme për dy vendet gjithsej. Dhe unë mendoj që është jetike për Kosovën që ta rikthejmë sa më shpejt çështjen e dialogut strategjik dhe të shohë se cilat tema janë vitale për Kosovën. Anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe marrja e Partneritetit për Paqe, si hapi i parë, do duhej të ishte si tema kryesore. Një mbështetje më e madhe amerikane në fushën e mbrojtjes, në fushën e sigurisë, duke përfshirë edhe blerjen e pajisjeve për FSK-në, trajnimin e FSK-së, rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse, duhet të jetë një fushë e dytë e cila do të diskutohet me partnerët tanë amerikanë”, tha ai.

Hoxhaj theksoi se në kuadër të këtij dialogu duhet të trajtohen edhe njohjet e reja dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Pozita ndërkombëtare e Kosovës, se shumë vende në botë e kanë përkrahur Kosovën kur Amerika e ka përkrahur vendin tonë dhe në autoritetin e amerikanëve ne kemi gëzuar përkrahje ndërkombëtare, jo vetëm në Evropë, por edhe në pjesë të tjera të botës. Njohjet, anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, sikurse është Interpoli dhe organizata të tjera, duhet të jenë gjithashtu prioritet i Kosovës. Dhe dialogu strategjik është një platformë e cila u mundëson të dy vendeve të ulen dhe të thonë gjatë këtij viti, këto tri-katër tema janë të rëndësishme, përcaktojnë afatet kohore dhe mandej ofrojnë një qasje se kush mund të fillojë me mbështetje për t’i zgjidhur temat e caktuara”, tha ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, kërkoi veprime urgjente nga Qeveria për rikthimin e dialogut, duke thënë se pezullimi ka të bëjë me mënyrën e veprimit të ekzekutivit.

“Për pasojat nuk besoj që duhet të flasim tash shumë, sepse ende jemi duke i vuajtur ato pasoja. Është i suspenduar dialogu. Qeveria e di arsyen pse është suspenduar. Ka të bëjë vetëm me sjelljen e Qeverisë së Republikës, nuk ka të bëjë me kurrgjë tjetër në këtë vend, nuk ka të bëjë as me funksionimin apo jo stabilitetin politik që e kanë pasur. Kështu që Qeveria duhet të bëjë veprime urgjente që me e rikthy besimin dhe agjendën e shumëpritur. Dialogu strategjik i SHBA-ve me Kosovën është suspenduar, ndërsa me Serbinë e ka një stad zhvillimi. Dhe kjo përbën diçka të cilën Kosova nuk guxon me lejuar me qenë defanzive. Pres që Qeveria me e ndërtuar një lloj konsensusi që ekziston, me formuar, me e formalizuar pak a shumë dhe me e rikthy në mënyrë që State Department me trajtuar me urgjencë fillimin e dialogut strategjik me SHBA-të”, tha ai.

Në të njëjtën linjë ishte edhe deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e cila fajësoi Qeverinë për ndërprerjen e dialogut dhe kërkoi një strategji të përbashkët institucionale për rikthimin e tij.

“Së pari Qeveria nuk duhet t’i kontribuojë që ne të vendosim sanksione dhe të ndërpritet dialogu strategjik, sepse dora në zemër, i ka kontribuar Qeveria me veprimet e veta të pamatura dhe të pakoordinuara, kështu që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta anulojnë dialogun strategjik. Ne kemi pasur edhe sanksione prej Bashkimit Evropian. Ajo çka duhet, duhet të reflektojë zoti Kurti se, pa aleatë nuk e kemi të trasuar rrugën që kërkon Kosova, e rruga e Kosovës që kërkon është rruga e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, rruga e anëtarësimit në organizatat kredibile ndërkombëtare dhe në Këshillin e Evropës, por edhe në NATO. Nëse duhet, duhet të gjejë partnerë, aleatët tanë kërkojnë partnerë të besueshëm, të qëndrueshëm, që e kanë një vizion edhe një strategji. Duhet të bëhet një strategji që të gjithë jemi brenda asaj strategjie, në fokus të asaj strategjie që të punojmë edhe komisionet parlamentare që merren me punë të jashtme, me integrim evropian, por që merret edhe Ministria e Punëve të Jashtme, edhe Qeveria, po edhe Presidenca në këtë rast”, tha ajo për EO.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën më 12 shtator 2025. Përmes një deklarate zyrtare të lëshuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Uashingtoni bëri të ditur se ky vendim erdhi si pasojë e drejtpërdrejtë e vendimeve të njëanshme politike të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës pa kordinim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts