Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur amendamentin e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, për ndarjen e katër milionë eurove për ndërtimin e Qendrës së Kujdesit Paliativ në Kosovë. Amendamenti mori katër vota për, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, raporton Ekonomia Online.

Musliu-Shoshi ka thënë se kërkesa për ndërtimin e kësaj qendre është bërë që nga viti 2019, kur ajo mori për herë të parë mandatin e deputetes. Ajo ka theksuar se nevoja për shërbime paliative në Kosovë është e madhe, duke treguar edhe përvojën e saj personale me humbjen e prindit, kur familja e saj nuk kishte mundësi të siguronte trajtim të tillë në vend.

“Kërkesa ime e parë, apo amendamenti i parë që kam kërkuar, pavarësisht faktit që jemi në rishikim, është ndërtimi i Qendrës së Kujdesit Paliativ në vlerë prej 4 milionë euro, nuk është hera e parë që e kërkoj një ndërtim të një qendre të tillë. Këtë kërkesë e kam nga viti 2019, kur jam për herë të parë deputete, e që prej asaj dite ka udhëhequr kjo qeveri. Ndërtimin e kësaj qendre e kam më shumë nevojë nga qytetarët tanë që më është paraqitur direkt, mirëpo e kam edhe nga përvoja personale që kam kaluar vetë, unë e kam humbur prindin tim, duke qenë me kërkesë që të ketë trajtim paliativ, dhe një gjë të tillë nuk e ka arritur, sepse nuk ka pasur shërbim në Kosovë, jemi detyruar si familje, ashtu siç detyrohen familjet e tjera në Kosovë, që ta trajtojnë vetë dhe në klinika në qytete ku kërkojmë e në këtë rast në Klinikën, pra në Qendrën në Prishtinë”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së ka kërkuar që qeveria ta trajtojë këtë çështje, duke theksuar se ndërtimi i qendrës do të ishte një ndihmë e madhe për familjet që përballen me sëmundje kronike dhe të pashërueshme. Ajo ka propozuar që mjetet të sigurohen nga kontingjenca e Ministrisë së Financave.

“Marr parasysh që shumë familje përballen me të sëmurë, me sëmundje kronike dhe të pashërueshme, dhe nevojën e Qendrës së Kujdesit Paliativ, e që jemi i vetmi shtet në rajon dhe në Evropë që nuk ka qendër paliative, kërkoj që të konsiderohet dhe të trajtohet nga kjo qeveri Kam propozuar që të holla të sigurohen nga Kontigjenca në Ministrinë e Financave, me këtë 28900, dhe siç e thashë, vlera e di që është shumë e vogël, 4 milionë euro, për një ndërtim të një qendre të tillë, mirëpo sado e vogël që është, do të ishte në ndihmë të jashtëzakonshme të shumë familjeve që përballen me të dashurit e tyre, e që janë në momente të fundit të jetës”, tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts