Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka analizuar skenarët që mund ta presin Serbinë pas zgjedhjeve parlamentare të kësaj të diele, ku lëvizja studentore kundër korrupsionit synon t’i japë fund dominimit politik të Aleksandar Vuçiqit.

Në garë janë disa lista zgjedhore, përfshirë atë të udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), lëvizjen studentore “Studentët Fitojnë”, Partinë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe aleancën opozitare pro-evropiane “Serbia Evropiane”.

Lista e SNS-së e ka përqendruar fushatën te rritja ekonomike, rritja e pagave dhe pensioneve, investimet në infrastrukturë dhe stabiliteti politik. Vuçiqi, i cili sipas Reutersit dha dorëheqje nga posti i presidentit më 27 shtator, synon të bëhet kryeministër.

Ndërkohë, lëvizja studentore u krijua pas protestave të nxitura nga shembja e një pjese të stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ajo kërkon llogaridhënie, luftim të korrupsionit dhe transparencë në prokurimet publike.

Një tjetër forcë në garë është Partia Socialiste e Serbisë, e udhëhequr nga Ivica Daçiç, aleate e kahershme e SNS-së. Ndërsa aleanca “Serbia Evropiane” mbështet integrimin më të afërt me Bashkimin Evropian, sanksionet ndaj Rusisë dhe reformat demokratike.

Sipas Reutersit, korrupsioni dhe llogaridhënia e qeverisë janë ndër çështjet kryesore të fushatës. Protestuesit e akuzojnë Vuçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij për korrupsion, kontroll të mediave dhe keqtrajtim të demonstruesve, akuza që autoritetet serbe i kanë mohuar.

Çfarë ndodh nëse fiton apo humb Vuçiqi?

Nëse fiton dhe arrin të bëhet kryeministër, Vuçiqi do ta vazhdonte udhëheqjen e tij politike në Serbi. Një rezultat i tillë mund ta ruajë politikën e Beogradit mes synimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrëdhënieve të afërta me Rusinë dhe Kinën.

Në rast të humbjes, sipas analizës së Reutersit, mund të hapet rruga për reforma të rëndësishme të brendshme, përfshirë forcimin e institucioneve dhe masa më të ashpra kundër korrupsionit.

Në këto zgjedhje, votuesit zgjedhin listat zgjedhore dhe jo kandidatët individualë. Komisioni zgjedhor ka miratuar gjithsej 18 lista për garën parlamentare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts