Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka vënë në lëvizje institucionet, duke kërkuar llogari dhe përgjegjësi, pasi shteti dështoi ta mbronte tashmë viktimën.

Në kuadër të këtyre reagimeve dhe veprimeve pas vrasjes së saj, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Sipas shefes së deputetëve të VV-së, Arbërie Nagavci, do të kërkohet krijimi i një komisioni hetimor parlamentar për këtë rast.

“Vrasja e gruas në Vitomiricë të Pejës, e cila tri ditë më parë kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj, është një tragjedi që kërkon drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Si Grup Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kemi nisur menjëherë mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, që të mbahet sot. Si hap të parë, do të kërkojmë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë në këtë rast dhe për të zbardhur veprimet dhe mosveprimet e institucioneve.”, ka shkruar Nagavci.

Nagavci ka thënë se Arlinda Zekaj kërkoi ndihmë dhe mbrojtje, por përfundoi e vrarë.

“Asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi u është drejtuar institucioneve për mbrojtje. Përgjegjësia matet me aftësinë për ta parandaluar dhunën dhe për të reaguar me kohë. Çdo veprim dhe mosveprim duhet të hetohet dhe askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë.”, ka shkruar ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts