Ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, beson se thelbi i tensionit mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë targat, por, siç tha ai, refuzimi i autoriteteve serbe për të njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës pothuajse 25 vjet pas luftës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Zërit të Amerikës në gjuhën serbe – diplomati amerikan në pension tha se është në interes të qytetarëve të nacionalitetit serb që përfaqësuesit e tyre të kthehen në institucionet e qeverisë së Kosovës.
Zyrtarët e pakicës serbe kontrollohen nga Qeveria e Serbisë, si dhe pjesëmarrja e tyre në institucionet e Kosovës – për të kundërshtuar qeverinë e Kosovës”, thotë Delawie.
Diplomati në pension, i cili shërbeu në Kosovë nga mesi i vitit 2015 deri në mesin e vitit 2018, shpjegon rrethanat në të cilat përfaqësuesit politikë të serbëve nga veriu i Kosovës – nga radhët e Listës Serbe, vendosën të pezullojnë pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës.
Tensionet nuk kontribuojnë në përparimin në dialog”
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po bëjnë thirrje për de-përshkallëzimin e tensioneve, duke kërkuar që përfaqësuesit serbë të kthehen në institucionet e Kosovës dhe që Kosova të respektojë zotimet që ka marrë – përfshirë krijimin e Asociacionit.
“Tensionet nuk kontribuojnë në përparimin e dialogut”, vazhdoi ambasadori Delawie.
“Pushtimi i pajustifikuar i Rusisë në Ukrainë ngriti tensionet në të gjithë Evropën. I takon qeverive të Serbisë dhe Kosovës që të punojnë në uljen, jo rritjen e tensionit. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor, në Kosovë dhe Serbi, meritojnë një të ardhme evropiane. Ata mund ta arrijnë atë vetëm nëse liderët e të dy vendeve vendosin synimin për paqen, zhvillimin politik dhe ekonomik”, beson Delawie.
Delawie e sheh të arritshme iniciativën e bashkësisë ndërkombëtare, të Bashkimit Evropian, të SHBA-së dhe të vendeve të Kuintit për shtyrjen e procesit të ri-regjistrimit për dhjetë muaj, të cilin Qeveria e Kosovës nuk e pranoi.
Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10 mijë makina me targa serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për riregjistrimin për targat.
SHBA-ja ka thënë se pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.
“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Policinë, Gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Christopher Hill për televizionin N1.
Serbët ishin integruar në institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, pasi Prishtina dhe Beogradi kishin arritur një marrëveshje më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.