Të ardhurat nga tarifa në rrugën e Kombit kanë rezultuar më të larta se parashikimi në kontratën e koncesionit gjatë periudhës së zbatimit të saj nga viti 2018-2022
Në raportin e Monitorimit të Koncesioneve për vitin 2021 që u publikua së fundmi nga Ministria e Financave thuhet si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave nga trafiku Autoriteti Kontraktues mund të aktivizojë rinegocimin e kontratës me mundësi uljen e tarifës së kalimit në sheshin e pagesës.
Në raport thuhet se nga 12 risqe të identifikuara në Koncesionin Rrugës së Kombit, Autoriteti Kontraktues ka mbajtur 3 risqe: riskun politik, riskun e qeverisjes dhe riskun e ndryshimeve ligjore, ndërsa tek Partneri Privat janë transferuar risku i ndërtimit, risku i transferimit të aseteve, risku i operimit dhe performancës dhe risku i ribalancimit të ekuilibrit financiar.
Ndërkohë, risku i kërkesës, risku financiar, risku i forcës madhore, risku i rinegocimit dhe risku i ndërprerjes së kontratës janë ndarë mes palës private dhe publike. Në vitin 2018, për shkak të kundërshtimeve mbi tarifën e rrugës nga përdoruesit e rrugës si dhe nga banorët e qytetit të Kukësit, Sheshi i Pagesës (Toll Plaza) qëndroi për 6 muaj jashtë funksionit. “Megjithatë, për muajt operativ të ardhurat ishin më të larta se ato të parashikuara. Për vitin 2021 nuk është raportuar materializimi i ndonjë risku, por risku financiar, risku i forcës madhore, risku i rinegocimit dhe risku i veprimeve negative të qeverisë (MAGA) janë klasifikuar si risqe të mesme dhe për riskun MAGA. Autoriteti Kontraktues shprehet se mundësia e materializimit të tij është e mundur në uljen e tarifës së kalimit në Sheshin e pagesës” thuhet në raportin e Monitorimit të Koncesioneve.
Të ardhurat e koncensionarit arritën në vitin 2021 në 2,5 miliardë lekë nga të cilat 1.7 miliardë lekë ishin të ardhura nga taksat në sheshin e pagës dhe 790 milionë lekë kompensim nga qeveria.
Të ardhurat totale ishin 10% më të larta se në vitin 2020 dhe 6 për qind më të larta se në vitin 2029.
Kur publikoi kontraktën koncesionare qeveria mbajti të fshehte aneksin për trafikun, por siç raporton Ministria e Financave arkëtimet nga trafiku ishin më ta lrta se projeksionet në kontratë.
Në katër vitet e para të kontratës kompania ka arkëtuar 7.9 miliardë lekë të ardhura (67 milionë euro). Ndërkohë që vlera e investimit nga kompania koncesionare është 5,6 miliardë lekë për të gjithë periudhën e kontratës 30 vjeçare.
Ministria e Financave raportoi se aktualisht projekti është në fazën e ndërtimit dhe të operimit. Deri në fund të vitit 2021 janë realizuar 105.9% të investimeve kapitale. Sipas raportimeve shoqëria koncesionare vazhdon të realizojë punimet e mirëmbajtjes së autostradës “Milot-Morinë”, si dhe punime përmirësuese të komponentëve të ndryshëm përgjatë autostradës me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë.