Kombëtarja e Kosovës ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.
“Dardanët” janë grumbulluar në mëngjes, ndërsa pasdite kanë zhvilluar stërvitjen e parë në Kampin Nacional në Hajvali.
Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, në stërvitje kanë marrë pjesë 15 futbollistë, derisa pjesa tjetër e ekipit ka qëndruar në palestrën e hotelit për rigjenerim.
FFK-ja ka bërë të ditur se atmosfera në kamp është shumë e mirë dhe se futbollistët po punojnë me përkushtim për dy sfidat e radhës.
Ndeshjen e parë Kosova do ta zhvillojë të shtunën ndaj Izraelit, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 15:00.
Tri ditë më vonë, më 17 nëntor, “Dardanët” do të udhëtojnë për t’u përballur me Irlandën, në ndeshjen e fundit të Grupit 3 të Ligës B.
Pas katër ndeshjeve të zhvilluara, Kosova ka pesë pikë dhe renditet në pozitën e dytë, aq sa ka edhe Irlanda në vendin e tretë. Austria kryeson grupin me tetë pikë, ndërsa Izraeli ka dy pikë.


















