UBT në skenën botërore të klimës: Rektori Edmond Hajrizi folës në samitin COP31 në Antalya
Kosova do të përfaqësohet në një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare për ndryshimet klimatike. Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, do të jetë pjesë e Konferencës së 31-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), ku do të marrë pjesë si folës në një panel të nivelit të lartë.
Më 18 nëntor 2026, në orën 13:00, në zonën Blue Zone të COP31 në Antalya të Turqisë, Hajrizi do të prezantojë temën “From Smart Campuses to Climate-Resilient Cities: The 5S Approach to University Living Labs”.
Paneli, me temën “From Universities to a Global Climate Alliance: Shared Vision and Action for Green Transition”, do të trajtojë rolin e universiteteve në përballimin e sfidave klimatike dhe në avancimin e tranzicionit të gjelbër. Diskutimi do të moderohet nga Rektori i Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart, Prof. Dr. R. Cüneyt Erenoğlu.
Gjatë prezantimit, rektori Hajrizi do të shpalosë modelin UBT Smart City, duke vënë në pah ndërthurjen e arsimit, kërkimit shkencor, teknologjive të avancuara dhe veprimit klimatik në krijimin e kampuseve inteligjente dhe qyteteve të qëndrueshme.
Kjo pjesëmarrje shënon gjithashtu një hap të rëndësishëm në vazhdimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet UBT-së dhe Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart, partneritet që nisi në vitin 2024 me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), në UBT është realizuar edhe Projekti i Transformimit të Gjelbër, në të cilin kanë marrë pjesë rreth 30 studentë.
Përmes prezencës në COP31, UBT synon të prezantojë përvojën dhe modelet e tij inovative në arenën ndërkombëtare, si dhe të forcojë partneritetet me institucionet akademike dhe organizatat që angazhohen për zhvillim të qëndrueshëm.
Pjesëmarrja e UBT-së në këtë samit përfaqëson një mundësi për të prezantuar potencialin akademik dhe inovativ të Kosovës në diskutimet globale për të ardhmen e planetit.


















