Studentët kanë dalë këtë të shtunë në protestë pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, aty ku po zhvillohej Asambleja e Partisë Socialiste të Tiranës.
Në momentin kur kryeministri Edi Rama ka dalë nga ambientet ku mbahej Asambleja, protestuesit kanë nisur thirrjet kundër qeverisë, duke brohoritur: “Poshtë diktatura! Qeveri e krimit!”, raporton Top Channel.
Rama ka reaguar duke buzëqeshur dhe përshëndetur protestuesit, ndërsa u është drejtuar me fjalën “hajdeni”, duke i ftuar për dialog.
Ndërkohë, një ditë më parë, kryeministri ka zhvilluar një takim me një grup studentësh, të cilët sipas tij, kërkojnë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe jo përmes përdorimit të gurëve.
Për takimin, Rama ka publikuar edhe një video në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se me studentët ka rënë dakord që, për momentin, të mos bëhet publik debati i zhvilluar mes tyre, por vetëm pamjet nga takimi.

















