Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se brenda kësaj jave do të procedohet në Kuvendin e Kosovës nisma e re ligjore për Dhomat e Specializuara, raporton Ekonomia Online.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Çitaku tha se ekspertët janë duke i bërë ndërhyrjet e fundit në draftin e nismës, ndërsa shprehu pritjen që drafti i parë të pranohet gjatë ditës së sotme.
Ajo theksoi se kjo nismë ka marrë mbështetje të gjerë politike dhe qytetare, duke nënvizuar se tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për një iniciativë të PDK-së, por për një nismë që, sipas saj, ka edhe vulën e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Brenda kësaj jave, do të procedojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës nismën e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo nismë gëzon unitetin e plotë politik e qytetar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe është shumë e rëndësishme që tashmë kjo nismë nuk është vetëm e Partisë Demokratike të Kosovës, tashmë kjo nismë ka vulën e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ekspertët janë duke i bërë ndërhyrjet e fundit. Unë po besoj që sot do ta pranojmë një draft të parë”, tha Çitaku.
Ajo bëri të ditur se PDK-ja dhe forcat e tjera politike që e mbështesin këtë nismë do të jenë të hapura për diskutime dhe rekomandime gjatë shqyrtimit në komisionet funksionale të Kuvendit.
“Brenda javës do ta procedojmë si nismë ligjore në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe, siç kam thënë edhe javën e kaluar, po e ripërsëris edhe sot, do të jemi të hapur brenda punës që do të bëhet në komisionet funksionale, të bashkëbisedojmë, të marrim këshilla, të marrim rekomandime dhe synimi ynë, jo vetëm i PDK-së, por synimi i forcave politike që e mbështesin këtë nismë ligjore, është që shumë shpejt, brenda një afati shumë optimal, ky ligj të kalojë në të dyja leximet”, u shpreh ajo.
Çitaku theksoi se nisma ligjore është vetëm njëri nga instrumentet që institucionet e Kosovës synojnë ta përdorin për mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Dhe ta kemi të qartë: ligji është vetëm një nga instrumentet që institucionet e Republikës së Kosovës do ta vënë në funksion të mbrojtjes së luftës së drejtë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Çitaku.
Duke folur për unitetin politik rreth kësaj çështjeje, ajo përmendi edhe dallimet e thella politike me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se kjo parti ka qenë kundërshtare e tyre politike edhe në kohën kur ligji i mëparshëm ishte proceduar dhe miratuar.
“Është shumë e rëndësishme që ky unitet politik, qytetar e kombëtar të mirëmbahet. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundërshtari ynë politik edhe ditën kur e kemi proceduar ligjin, edhe ditën kur e kemi miratuar, është edhe sot. Po, përkundër hendekut të madh mes nesh dhe dallimeve të thella politike që kemi me qeverinë”, deklaroi ajo.



















