Familja e të ndjerës Liridona Ademaj ka dalë me një reagim publik pasi Gjykata e Apelit ka vërtetuar sot dënimet e shqiptuara nga Gjykata Themelore ndaj të akuzuarve Naim Murseli dhe Granit Plava, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një deklarate prekëse, vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka shprehur dhimbjen e pashuar për humbjen e më të dashurës së tyre, duke theksuar boshllëkun e madh që u ka mbetur fëmijëve, por duke mirëpritur fjalën e drejtësisë edhe në shkallën e dytë.
“Vajza dhe motra jonë, Liridona, nuk do të na kthehet. Fëmijët e saj do të rriten pa nënën e tyre, por na ngushëllon fakti që ky rast mori epilog edhe në nivel të Gjykatës së Apelit”, thuhet në reagimin e familjes Ademaj.
Në këtë deklaratë është përmendur edhe i akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla, ndërsa familja ka shprehur shpresën e plotë që të dënuarit të vuajnë dënimet e merituara pas grilave.
Në përmbyllje, familja Ademaj ka përcjellë një mesazh të fortë sensibilizues për mbarë shoqërinë dhe institucionet e vendit.
“Urojmë që vrasjeve të grave t’u vijë fundi dhe që Kosova të bëhet një vend më i sigurt për gratë”, përfundon reagimi.


















