Rënia e temperaturave, ka bërë që në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë të rikthehet edhe ndotja e ajrit.
Bazuar në të dhënat e fundit të ‘IQ AIR’ , Kosova mbrëmë u rendit në vendin e 29-të për nga cilësia e ajrit në botë.
Sipas të dhënave të fundit, vlera e nivelit të grimcave të dëmshme PM, në Prishtinë është 79 njësi.
Kjo vlerë cilësohet e dëmshme për shëndetin e njeriut.
Ndërkaq, listës se ajrit me të ndotur në botë i prinë kryeqyteti i Pakistanit, Lahore, ndërsa Toki e Japonisë momentalisht e ka ajrin me të pastër në botë.
Ndotja e ajrit nuk është gjithmonë e dukshme.
Ndër ndotësit më shqetësues janë grimcat e imëta të pezulluara në atmosferë, të njohura si PM10 dhe PM2.5.
PM10 janë grimca me diametër deri në dhjetë mikrometra, ndërsa PM2.5 janë edhe më të vogla.
Grimcat PM10 mund të hyjnë në sistemin e frymëmarrjes, ndërsa PM2.5 depërtojnë më thellë në mushkëri dhe mund të kalojnë edhe në qarkullimin e gjakut.
Ekspozimi ndaj tyre lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje të mushkërive, probleme kardiovaskulare dhe vdekje të parakohshme.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 nuk duhet të tejkalojë pesë mikrogramë për metër kub ajër. Për PM10, udhëzimi vjetor është 15 mikrogramë.
Pse ndotet ajri në Kosovë?
Burimet e ndotjes janë të shumta, por tri prej tyre dallohen: prodhimi i energjisë nga linjiti, ngrohja e shtëpive me dru e qymyr dhe transporti rrugor.
Termocentralet e Kosovës mbështeten në linjit, ndërsa shumë familje vazhdojnë të përdorin lëndë të ngurta djegëse për ngrohje.
Një vlerësim i OBSH-së për ndotjen e ajrit brenda shtëpive në Kosovë, i publikuar në vitin 2024, konstatoi lidhje të fortë mes përdorimit të drurit për ngrohje dhe shqetësimeve shëndetësore.
Raporti theksoi se mënyra e ngrohjes dhe gatimit ndikon ndjeshëm në cilësinë e ajrit që qytetarët thithin edhe brenda banesave.
Gjatë dimrit, kushtet atmosferike mund ta përkeqësojnë situatën. Kur ajri i ftohtë mbetet i bllokuar pranë tokës, ndotësit shpërndahen më ngadalë dhe përqendrimi i tyre rritet.
Kjo shpjegon pse ndotja mund të arrijë nivele të larta pikërisht gjatë muajve kur kërkesa për ngrohje është më e madhe.
Si krahasohet Kosova me vendet e tjera?
Problemi nuk kufizohet vetëm në Kosovë.
Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, gjatë vitit 2024, në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor u regjistruan përqendrime të PM2.5 mbi kufirin vjetor të Bashkimit Evropian.
Agjencia identifikon përdorimin e lëndëve të ngurta djegëse, industrinë dhe automjetet e vjetra si faktorë të rëndësishëm të ndotjes në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore.
Një raport i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i publikuar këtë vit, tregon se pasojat shëndetësore janë veçanërisht të rënda në Ballkanin Perëndimor.
Mesatarja rajonale ishte 126 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, krahasuar me 39.5 në Bashkimin Evropian – më shumë se trefishi.
Maqedonia e Veriut kishte shkallën më të lartë të raportuar në rajon, me 146 vdekje për 100 mijë banorë, ndërsa Mali i Zi më të ulëtën, me 89.
Në një raport të publikuar më herët, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës paralajmëroi për pasojat shëndetësore të ndotjes së ajrit dhe kërkoi, ndër të tjera, kontrolle më rigoroze teknike të automjeteve dhe monitorim të vazhdueshëm të filtrave të termocentraleve.
Pse nuk po zgjidhet problemi?
Avokati i Popullit nuk e sheh problemin vetëm te burimet e ndotjes, por edhe te mënyra se si institucionet përgjigjen ndaj tij.
Raporti evidenton mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe teknike për inspektim, dobësi në zbatimin e legjislacionit dhe nevojë për koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve.
Në vendet evropiane, masat për përmirësimin e cilësisë së ajrit përfshijnë zgjerimin e sistemeve të ngrohjes qendrore, izolimin e ndërtesave, kufizimin e emetimeve industriale dhe zhvillimin e transportit më pak ndotës.
Për Kosovën, këto masa kërkojnë investime afatgjata, por edhe zbatim të rregullave ekzistuese.
Avokati i Popullit kujton se mbrojtja e qytetarëve nga ndotja nuk është vetëm çështje e politikave mjedisore, por edhe detyrim i shtetit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Radio Evropa e Lirë e pyeti Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për masat e ndërmarra kundër ndotjes së ajrit dhe planet për muajt e dimrit, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Gjatë prezantimit të programit të Qeverisë në shtator, kryeministri Albin Kurti premtoi modernizimin e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.
Kurti paralajmëroi, gjithashtu, zgjerimin e ngrohjes qendrore në Prishtinë dhe vendosjen e saj në tetë komuna të tjera, si dhe investime prej 150 milionë eurosh në efiçiencë të energjisë për ndërtesa publike dhe familje.




















