Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, ku ka kërkuar veprime konkrete nga Bashkimi Evropian lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Kurti ka bërë të ditur se ka kërkuar një mesazh uniteti nga liderët evropianë, në mënyrë që Këshilli t’i kërkojë Komisionit Evropian dërgimin e pyetësorit dhe dhënien e opinionit për aplikimin e Kosovës, i cili muajin e ardhshëm mbush katër vjet.

Sipas tij, progresi i arritur në vend justifikon marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave. Ai ka theksuar se në shumicën e indekseve kryesore ndërkombëtare, Kosova ka shënuar përparim më të shpejtë se çdo shtet tjetër në rajon.

“Kjo vlen për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, të drejtat politike dhe liritë civile. Ekonomia jonë vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme: në gjysmën e parë të këtij viti, rritja ishte 4.7%”, ka deklaruar kryeministri.

Harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së

Shefi i ekzekutivit kosovar ka përmendur gjithashtu mbështetjen e lartë të qytetarëve për integrimin evropian, si dhe linjëzimin e plotë të Kosovës me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët të Bashkimit Evropian, duke përfshirë zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

Në përmbyllje të mesazhit të tij nga kryeqendra evropiane, Kurti ka vlerësuar se dinamika e procesit të integrimit ka ndryshuar dhe kërkon vendimmarrje të menjëhershme.

“Para një dekade e ca kishte lodhje nga zgjerimi, e tani ka lodhje nga moszgjerimi. Është koha që kjo të ndryshojë”, është shprehur ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts