Kuvendi i Kosovës ka miratuar emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, me 67 vota për, një kundër dhe katër abstenime.

Gjatë seancës plenare, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, ka prezantuar emrat e 15 anëtarëve të propozuar për këtë këshill.

Në përbërjen e Këshillit Kombëtar të Shkencës janë: Aliriza Arenliu, Arbnora Dushi, Armand Daci, Arven Syla, Besnik Krasniqi, Emine Kalaja-Hajdari, Fetah Podvorica, Ibrahim Krasniqi, Majlinda Bregasi, Mentor Alishani, Mihone Kerolli-Mustafa, Mimoza Ibrani, Myzafere Krasniqi, Tringa Dedi dhe Valmir Krasniqi.

Kryetari i komisionit për arsim dhe shkencë, Enver Hoxhaj, gjatë prezantimit të rekomandimit të komisionit, tha se përbërja e propozuar është shqyrtuar në mbledhjen e 9 nëntorit 2026.

“Komisioni për arsim e shkencë në bazë të nenit 29, 30 dhe 110 të rregullores së kuvendit, në mbledhjen e mbajtur më 09.11.2026, ka shqyrtuar kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës me numër 07/08 të datës 28.10.2026 dhe i rekomandon Kuvendit të Kosovës si komision për arsim që ta votojë këtë përbërje”, deklaroi Hoxhaj.

Ai bëri të ditur gjithashtu se grupi parlamentar që përfaqëson do ta mbështesë përbërjen e propozuar.

Në emër të grupit parlamentar të Aleancës foli deputetja Teuta Haxhiu, e cila shprehu kritika për përbërjen e këshillit, duke vënë në pikëpyetje përfaqësimin dhe kriteret profesionale të disa prej anëtarëve.

“Me shumë sinqeritet ju them që ky këshill do të duhej të ishte funksional dhe kjo listë vërtet do të duhej të na përbashkonte, në mënyrë që vërtet të kemi anëtarë që i bëjnë nder këtij këshilli”, tha Haxhiu.

Ajo përmendi në veçanti emrin e Fetah Podvoricës, për të cilin tha se ka ndërtuar një emër në fushën e tij, por kritikoi përbërjen e përgjithshme të listës.

“Ka emra të përveçëm që kanë qenë si Fetah Podvorica, që vërtet ka një emër në vete, që e ka ndërtuar. Por, ashtu siç ju thashë dhe pak më herët, ka emra që jo vetëm që nuk e kanë edhe shkollimin që do të duhej t’i bënin nder këtij këshilli”, u shpreh ajo.

Haxhiu pretendoi se lista dominohet nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Mund t’ju them me shumë sinqeritet për PDK-në mbi të gjitha, që kjo listë është 90% Vetëvendosje”, deklaroi deputetja.

Në vazhdim, ajo përmendi edhe Majlinda Bregasin, duke iu referuar një deklarimi të saj për qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.

“Po jua rikujtoj Majlinda Bregasin: ‘Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti’. Edhe një herë për ju që nuk e dëgjuat mirë: ‘Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti’”, tha Haxhiu.

Me votimin në kuvend, përbërja e propozuar e Këshillit Kombëtar të Shkencës mori miratimin e shumicës së deputetëve të pranishëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts