Një studim i madh nga shkencëtarët suedezë i cili përfshiu 10,788 respondentë midis moshës 50 dhe 64 vjeç, tregoi se rritja e marrjes së kripës në trup përmes ushqimit rrit rrezikun e zhvillimit të lezioneve aterosklerotike në arteriet koronare dhe karotide, madje edhe te pjesëmarrësit me presion normal të gjakut dhe pa njohur më parë sëmundjet kardiovaskulare.
Gjetjet tregojnë se kripa në vetvete mund të jetë një faktor i dëmshëm edhe para zhvillimit të hipertensionit (presionit të lartë të gjakut), shkruajnë autorët e studimit, rezultatet e të cilit u publikuan online në European Heart Journal Open.
Dihet prej kohësh që marrja e kripës lidhet me hipertensionin, mirëpo roli i kripës në zhvillimin e aterosklerozës nuk është hetuar, shpjegon autori kryesor i studimit Dr. Jonas Wuopio nga Instituti Karolinska dhe një pedagog në Universitetin e Uppsala për portalin Medscape.
Rrallëherë dikush i kushton vëmendje lidhjes midis ndryshimeve në kalcifikimin arterial dhe lidhjes midis shfaqjes së pllakave aterosklerotike dhe marrjes së kripës, thotë Wuopio. Duke qenë se këto të dhëna ekskluzive i kishim nga hulumtimet e mëparshme, i përdorëm për t’i plotësuar njohuritë e mëparshme.
10,788 respondentë të hulumtimit të rritur të moshës 50 deri në 64 vjeç (mosha mesatare 58; 52 përqind femra) iu nënshtruan tomografisë së kompjuterizuar (MSCT) dhe sekretimi 24-orësh i kripës u përdor për ta matur marrjen e kripës.
Angiografia koronare MSCT u përdor për të marrë imazhe 3D të arterieve koronare, të cilat matën shkallën e kalciumit në arteriet koronare dhe gjithashtu u përdor për ta zbuluar stenozën në arteriet koronare. Një ekografi e arterieve karotide u krye gjithashtu tek pjesëmarrësit në hulumtim.
Pas përshtatjes për moshën, seksin dhe vendndodhjen e studimit (studimi u krye në Uppsala dhe Malmö), studiuesit zbuluan se rritja e konsumit të kripës shoqërohej me zhvillimin më të shpejtë të aterosklerozës në një mënyrë lineare në arteriet koronare dhe karotide.
U tregua se me çdo gram kripë më shumë, frekuenca e pllakave aterosklerotike në arteriet karotide ishte 9 për qind më e lartë te njerëzit me presion normal të gjakut dhe frekuenca e stenozave koronare ishte 17 për qind më e lartë.
Shkencëtarët kujtojnë se marrja ditore e kripës, siç rekomandohet nga OBSH, nuk duhet ta tejkalojë një lugë çaji në ditë.
Gjithashtu rekomandohet që presioni të mbahet në më pak se 120/80, sepse tashmë në një presion më të madh se 117/75, rreziku i zhvillimit të aterosklerozës rritet ndjeshëm.
Shkencëtarët suedezë besojnë se rritja e presionit të gjakut për shkak të marrjes së natriumit, madje edhe nën nivelin që e përcakton aktualisht hipertensionin arterial, është një faktor i rëndësishëm që e ndërmjetëson ndërveprimin midis marrjes së kripës dhe procesit aterosklerotik.
Duke qenë se kemi vërejtur një lidhje te personat me presion normal të gjakut, një nga shpjegimet e mundshme për gjetje të tilla është se proceset e dëmshme patologjike fillojnë edhe para zhvillimit të hipertensionit, përfundojnë ata.
Studimi që kemi bërë konfirmon se kripa e tepërt nuk është gjë e mirë, por fakti që lidhet me zhvillimin e aterosklerozës, edhe në mungesë të hipertensionit, ishte paksa befasi për ne”, citohet të ketë thënë Dr.Wuopio. /Dnevnik.hr