Meriton Korenica, sërish ishte autor i një goli, kësaj radhe përballë Lincoln Red Impsit në fitoren 2-0.
Ballkani fitoi ndaj skuadrës nga Gjibraltari në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
“Së pari shikova lojtarin tonë, por ishte i mbuluar dhe u desh të shënoj. Më kryesore është fitorja. Ka mundur të jetë edhe më bindëse por nuk i shfrytëzuam rastet. Shpresojmë të fitojmë edhe në ndeshjen tjetër dhe të kualifikohemi. Ne e bëjmë lojën tonë gjithmonë. Edhe fusha na ka penguar në shënimin e rasteve që patëm, por merita ka edhe portieri kundërshtar. Në ndeshjen tjetër duhet të mobilizohemi dhe të shfrytëzojmë rastet që i kemi”, ka thënë Korenica.
Korenica ka treguar se çfarë iu tha trajneri Ilir Daja në pushimin mes pjesëve.
“Profesori na qetësoi pas pjesës së parë edhe pas rasteve që nuk i shfrytëzuam. Në pjesën e dytë realizuam golat. Në këto gara çdo rast duhet të shfrytëzohet sepse rastet nuk vijnë lehtë. Kundërshtari luan lojë fizike, do të mobilizohemi, por do të shikojmë për lojën e radhës në kampionat dhe të provojmë të kualifikohemi në pley-off”, përfundoi Korenica.
Ballkani luan si mysafir ndaj Lirisë të dielën, ndërsa pas një jave udhëton për në Gjibraltar për ndeshjen kthyese ndaj Lincoln.