Futbollistët e Shqipërisë tashmë kanë nisur festën sa i përket kualifikimit në “Euro 2024”, pasi me një këmbë veçse kanë siguruar pjesëmarrjen në turneun që vitin tjetër mbahet në Gjermani. Megjithatë, Shqipëria kualifikimin në Evropian mund ta konfirmojë të dielën edhe pse nuk ka fare ndeshje kualifikuese këtë muaj. Të martën, prej orës 17:00, Shqipëria luan miqësoren me Përfaqësuesen e Bullgarisë në Tiranë. Megjithatë, të dielën, do të zhvillohen dy ndeshje të Grupit E, të cilit i prinë Shqipëria me 13 pikë pas fitores 3:0 ndaj Çekisë, të enjten mbrëma në stadiumin “Air Albania”.
Në rast se rezultatet e ndeshjeve Poloni – Moldavi dhe Çeki – Ishujt Faroe shkojnë sipas përllogaritjes së UEFA-s, atëherë Shqipëria të dielën do ta festojë kualifikimin në “Euro 2024” para kohe. Deri në fund të këtij cikli, Shqipëria i ka edhe dy ndeshje të tjera, të cilat i luan muajin e ardhshëm. Me Moldavinë më 17 nëntor në udhëtim dhe Ishujt Faroe në shtëpi, tri ditë më vonë.
Shqipëria ka katër pikë më shumë se Polonia që është e dyta në grup dhe pesë me shumë se Çekia që ka rënë në pozitën e tretë pas humbjes në Tiranë. Pikë sa Çekia ka edhe Moladvia dhe këto tri përfaqësuese do të përpiqen që deri në fund të këtyre eliminatoreve t’i bashkohen Shqipërisë në Evropian. UEFA, ka shkruar të premten se Shqipëria do të kualifikohet në “Euro 2024” të dielën, nëse Polonia barazon me Moldavinë dhe Çekia nuk fiton ndaj Ishujve Faroe. Kështu që, Shqipëria ndeshjen me Bullgarinë mund ta shfrytëzojë jo vetëm për miqësore, por edhe për festim të kualifikimit në Kampionatin Evropian. Ndeshja Çeki – Ishujt Faroe luhet prej orës 18:00, ndërsa ajo mes Polonisë dhe Moldavisë starton në orën 20:45.
“Shqipëria do të kualifikohet nëse Polonia dhe Moldavia barazojnë, dhe Çekia nuk fiton. Ishujt Faroe nuk mund të përfundojnë në dy vendet e para këtë cikël”, ka bërë UEFA një përshkrim të Grupit E kualifikues.
Mirëpo, edhe nëse nuk siguron kualifikimin këtë vikend, Shqipëria një gjë të tillë do ta bëjë muajin e ardhshëm. Matematikisht mund ta përfundojë e para në grup me 19 pikë, nëse i fiton dy ndeshjet, me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Në fakt, fitorja në Moldavi e dërgon Shqipërinë në Gjermani por edhe nëse humb këtë ndeshje, sërish me fitore në shtëpi ndaj Ishujve Faroe konfirmon pjesëmarrjen në Evropian. Në fund të fundit, Shqipërisë i mjaftojnë dy pikë në ndeshjet e muajit të ardhshëm për ta përsëritur suksesin e vitit 2016 kur për herë të parë u kualifikua në një Evropian. Ka shumë përllogaritje të ndryshme, pavarësisht rezultateve që e çojnë Shqipërinë për herën e dytë në këtë turne. Megjithatë, kreu i FSHF-së, Armand Duka nuk është marrë fare me një gjë të tillë, pasi me bindje të plotë insistoi se Shqipëria është “me të dyja këmbët” në Evropian pas fitores së madhe ndaj Çekisë.
“Jemi me dy këmbë në Evropian. Jam i bindur që do të bëjmë edhe më shumë. Na takon që të festojmë gjatë. Tani kemi më shumë eksperiencë, do të bëjmë më mirë në Evropian”, ka thënë ndër të tjera Duka.
Në “Euro 2016”, të mbajtur në Francë, Shqipëria u eliminua në fazën e grupeve, ku në tri ndeshje të zhvilluara, regjistroi një fitore dhe dy humbje. Përfundoi e treta në Grupin A, të cilin e përbënin edhe Franca, Zvicra e Rumania.