Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët që sot të bëjnë zgjidhje alternative të parkimit apo të shfrytëzojnë transportin publik nga Trafiku Urban, pasi për shkak të ndeshjes së futbollit mes Kosovës e Izraelit, parkingu në rrugën “Dritan Hoxha” do të jetë i mbyllur sipas kërkesës së Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim dhe koordinim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe akterët relevantë, kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtje të ndeshjes Kosova-Izraeli, nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
“Në organizim të kësaj ndeshje me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës dhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), janë angazhuar si çdo herë FFK-ja, Policia e Kosovës (PK) për sa i përket aspektit të sigurisë, si dhe kompania e sigurimit privat për siguri në perimetrin e brendshëm. Bazuar në bashkëpunim të ndërsjellë me FFK-në dhe të gjithë akterët relevantë, si dhe bazuar në informacionet dhe vlerësimet operacionale, është hartuar urdhri operativ policor i cili ka për qëllim: Sigurinë e përgjithshme para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, shtimin e masave të sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, ndërmarrjen e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimin e të gjitha dukurive negative që shkaktojnë jostabilitet, parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonin qetësinë publike, shtimin e masave të sigurisë paraprake dhe kontrollimin e turmave eventuale para, gjatë dhe pas evenimentit sportiv si në perimetër të stadiumit e po ashtu sipas nevojës edhe në qytet, sheshe etj. mbrojtja e jetës dhe pronës publike e private”, thuhet në njoftim.