Gjiganti mediatik francez, “Le Monde” i ka kushtuar një artikull situatës në Kosovë dhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
E përditshmja franceze thotë se Kurti ka marrë përsipër t’i japë fund mbikëqyrjes faktike të ushtruar nga Beogradi mbi komunat e populluara nga minoriteti serb.
“Le Monde” shkroi edhe për protestën e serbëve të Kosovës të cilët dolën në sheshin e Mitrovicës së Veriut për ta kundërshtuar vendimin e qeverisë për ndalimin e përdorimit të dinarit serb si mjet pagese.
“Pas flamujve të tyre, serbët e Kosovës shfaqën një zemërim të ndrydhur çuditërisht kundër këtij nacionalisti të majtë shqiptar që po ua vështirëson jetën. Në moshën 48-vjeçare, zoti Kurti po arrin atje ku të gjithë paraardhësit e tij kanë dështuar: t’i japë fund mbikëqyrjes së ushtruar ‘de facto’ nga Beogradi mbi jetën e përditshme të serbëve që jetojnë në këto katër komuna në veri të këtij qyteti të ndarë”, shkruan “Le Monde”, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, në artikullin e “Le Monde” përmendet edhe deklarimi i Kurtit dje i cili tha se “ditë pas dite, sundimi i ligjit po përhapet në të katër anët e Kosovës.
“‘Ditë pas dite sundimi i ligjit po përhapet në të katër anët e Republikës së Kosovës, ashtu siç e kemi premtuar’, deklaroi z. Kurti të mërkurën, me rastin e tri viteve të fitores së tij zgjedhore, duke përbuzur edhe më shumë paralajmërime nga Uashingtoni pasi ai gëzon një popullaritet të konsiderueshëm në mesin e shqiptarëve të Kosovës”, thuhet në artikull.