Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së në VV, ka sqaruar rreth interpretimit se Albin Kurti dhe disa deputetë të tjerë, s’mund të kandidojnë për deputet në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen pas shpalljes së vendimit të Kushtetueses, e cila hodhi poshtë votën e deputetit Etem Arifi.
Ai tha se ky është një interpretim i gabuar.
“Intepretim i gabueshëm, i pashë disa publikime të tilla, z.Kurti dhe të tjerët janë të dënuar me kusht, në bazë të kodit penal, dënimi me kusht nuk ka efekte dhe pasoja juridike, s’ka dënim plotësues.
Po ashtu aktgjykimi i Kushtetueses e ka qartësuar nenin 21 të Ligjit për Zgjedhje, me ndërlidhje me nenin 70 pika e 6-të, që nënkupton se personat e dënuar me një vit e më shumë burg me vendim të formës së prerë, nuk mund të jenë kandidat dhe deputet.
Kjo situatë është e qartë dhe është një keqkuptim në rastin më të mirë”, tha ai ne Dukagjin.