Ekspertja e tregjeve financiare, Vlora Obërtinca, ka treguar se a mund t’i tërheqin paratë e trustit, qytetarët e Kosovës.
Obërtinca ka thënë se ky nuk është një fond pensional, por fond i mirëbesimit.
“Është fond i mirëbesimit, kjo do të thotë nëse unë punoj në një kompani ajo i përfaqëson të drejtat e mia për pjesën e pensionit, kontributet e mia ia dërgon një fondi në mirëbesim. Ky është fond i mirëbesimit e jo fond pensional shtetëror. Kompanitë i dërgojnë në emër të punëtorëve të tyre, ky trust ka të drejtë t’i investojë paratë e tua në letra me vlerë”, ka thënë ajo në Oxygen Show.
Ajo tha se fondi pensional i Kosovës gjendet në Serbi dhe ky shtet i përdor këto mjete për investime.
“Nuk është fond pensional tipik, sepse fondi ynë është në Serbi, pse nuk është bërë temë e bisedimeve në Serbi ta sjellim fondin? Ata i investojnë paratë e baballarëve tanë në letra me vlerë në perëndim dhe fitojnë para”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, duhet të kthehet fondi pensional në Kosovë dhe Serbisë t’i paguhet një shumë parash për menaxhimin e mjeteve.
“Duhet ta kthejmë fondin pensonal shtetëror me gjithë kamatat që i ka fituar Serbia në emër tonin, dhe Serbisë me ia pagu në emër të menaxhimit e atyre mjeteve në një shumë të caktuar”.